U organizua sot në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Aleksander Moisiu”, forumi lokal me temë  “Interneti i sigurt”. Ky forum vjen si iniciativë e:  World Vision, CSDC Durres, Sot për të ardhmen,  në bashkëpunim dhe me mbështetjen e institucioneve si Bashkia Durrës, Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës.

Problemet  e lidhura me sigurinë e fëmijëve dhe të  rinjve në internet  janë aktuale dhe të ndjeshme nga të gjithë, madje edhe edhe nga vetë fëmijët. Në një studim kombëtar të realizuar nga World Vision në 2014 , të intervistuarit pohojnë se shohin pornografi, janë ngacmuar nga të panjohur, janë tallur publikisht me bashkëmoshatarët e tyre, ju është vjedhur paswordi në rrjete sociale etj. Të tilla problematika shqetësuese po bëhen gjithnjë e më shumë fokusi i strukturave dhe mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të drejtave të tyre. Në këtë kuadër CSDC Durrës po implementon në 5 shkolla 9 vjeçare të qytetit që nga muaji Janar projektin “Interneti i Sigurt për fëmijët në Shqipëri” . Në bashkëpunim me DAR, synohet që nëpërmjet një Grupi Rinor Mbështetës, të rritet ndërgjegjsimi i nxënësve, mësuesve dhe prindërve për domosdoshmërine e ruajtjes nga rreziqet që vijnë nga përdorimi i pasigurt i internetit.

 

Në takim morën pjesë gjithashtu  mësues e nxënës të shkollave të qytetit të cilët diskutuan problematikat kryesore në komunitetet e tyre, shqetësimet dhe  masat që duhen ndërmarrë për të qenë më të sigurt dhe të mbrojtur dhe  për të mos rënë pre e abuzimeve online.  

 

 

 Theksojmë se ky aktivitet u zhvillua ditën ndërkombëtare të "Internetit të sigurt", ditë ku njëkohësisht Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, me mbështetjen e UNICEF kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon rritjen e efikasitetit të ndërveprimit institucional në funksion të sigurisë online për fëmijët.