Të dashur nxënës dhe mësues! 

 

Të dashur prindër! 

 

Në këtë fillimviti shkollor, unë së bashku me stafin e DAR, ju përshëndes dhe ju përcjell urimet më të ngrohta. 

E shoqëruar me një emocion të veçantë, fillimisht dua ti drejtohem fëmijëve që nisin për herë të parë jetën shkollore, sikurse mësuesve të klasave të para që do të përkujdesen për këta filiza të rinj, me të gjithë përgjegjësinë e mësuesit dhe prindit, për të siguruar që këta fëmijë të bëhen e ardhmja e denjë për këtë vend. Uroj prindërit gjithashu, të cilët do të duhet të jenë mbështetja kryesore, që fëmijët tanë të dashur të ndjehen të qetë, të sigurt dhe plot besim në rrugën e gjatë të dijes.

Një urim të vecantë dëshiroj të përcjell edhe për nxënësit të cilët kanë mbyllur me sukses arsimin 9-vjeçar dhe nisin jetën e re si nxënës të shkollës së mesme, qofshin publike apo private, të përgjithshme apo profesionale. Shpreh njëherazi respektin dhe urimin tim për mësuesit, që përmes punës së tyre plot përkushtim dhe përgjegjshmëri, luajnë rolin jetik për zhvillimin e një shoqërie, duke mundësuar realizimin e objektivave reformuese, frytet e të cilave po ndihen dhe do të ndihen së shpejti në të gjitha nivelet e arsimit.

Të dashur nxënës, mësues dhe drejtues, urimi dhe mbështetja shkon për gjithësecilin prej jush që nesër do ti drejtoheni shkollës.

Me falenderimin dhe ftesën për bashkëpunim, i drejtohemsërish prindërve, si hallkë e domosdoshme e suksesit të përbashkët. Shkolla dhe edukimi na përket të gjithëve dhe si pjesë e të njëjtit komunitet, falë bashkëpunimit mësues-nxënës-prindër, do mund ti gëzohemi arritjeve të një komuniteti të përbashkët shkollor, për ta kthyer shkollën në një qendër të vertetë komunitare.

Ne të gjithë së bashku do të punojmë fort në rrugën e cilësisë në çdo shkollë dhe do të jemi mbështetja juaj për të zgjidhur  çdo problem që pengon realizimin e këtij misioni fisnik. 

 

 

Edhe një herë, urimet e mia më të mira dhe punë të mbarë të gjithëve! 

Faleminderit! 

Lindita MUKAJ